akull-naja

Archive for the ‘Ujë’ Category

Gjyshi

with 24 comments

Kthehem nga shkolla. Këmbët i kam qull. Jashtë bie borë e madhe. Sillem përqark. Sot s’vajta te gjyshi. Shumë larg. Shumë ftohtë. Gjyshi është sëmurë. Gjyshi është i vogël. Gjyshi më tregon përralla duke pjekur gështenja. E ka kapur ai bronkiti i poshtër. Ai që e kap gjithmonë në dimër. Po e marr në telefon. Më përgjigjet Sibija. Sibija është komshija që banon sipër gjyshit. Sibija është e madhe. Me flokë të verdha si fshesë dhe me sytë bojëqielli të hapur. Sibijen e kam shumë frikë. Sibija bën gjilpëra. Më pyet me zë të vrazhdë kush jam dhe më kalon tim atë. S’kuptoj më asgjë. Ç’do im atë në orar pune te gjyshi? Dhe ky më pyet me zë të vrazhdë se çfarë dua. S’di çfarë i përgjigjem. Më thotë ta lë rehat se ashtu kanë një problem. Ulem afër komodinës. Nxjerr kutinë me llokume jeshile. Llokumet më ngjiten nëpër dhëmbë. Qaj. I fshij lotët me mëngë. Qaj. Fshij hundët me mëngë. Qaj. Troket dera tre herë. Është mami, ajo i bie tre herë. I hap derën. Ç’ke moj nënë, më thotë, ç’të ka gjetur? Gjyshi, i them. Ç’ka gjyshi, më thotë. I tregoj për Sibijen dhe babin, që mu përgjigjën në telefon te gjyshi. Po jo moj nënë, më thotë, gjyshi është mirë. Sibija ka ardhur për dajë Selimin. Kishte vajtur për vizitë. Pati një krizë zemre. Vdiq. Tërheq hundët fort. Laj sytë me ujë të ftohtë. Gjyshi është gjallë.

Advertisements

Written by ak'll

Gusht 17, 2007 at 11:38 pm

Postuar te Ujë

Mjellma, qeni dhe pasiguria ime një pasdite vere

with 33 comments

Swan Attacked by a Dog


Jam ulur buzë diellit që ngjyhet në liqen. Duhet të isha larg prej aty, por diçka më mban në stolin pa shpinore. Tek e fundit, është e diel, arsye e mjaftueshme për të mos respektuar orarin. Filloj të rilexoj librin që kam marrë me vete për të mbytur çdo lloj vrarjeje ndërgjegje për kohën që ikën kot. Has në një fjalë që s’e di. S’kam fjalor me vete. Vazhdoj të lexoj, por mendja më rri te fjala e panjohur. Hedh sytë përqark, por s’shoh askënd që do mund të më ndihmonte. Vazhdoj sërish, por çdo gjë është automatike. Duket sikur fjala e panjohur bart sekretin e gjithë shkrimit. Mundohem të kap fjalën me hamendje. E zëvendësoj me të tjera, prapë s’e shoh lidhjen me të tërën. Ndoshta ajo fjalë është krejt e parëndësishme për shkrimin, por ndoshta është dhe simboli i heshtur i gjithë pjesës në vazhdim. S’kam nga ta di. Kuriozitetin ma tremb një këlthitje e thatë si prej gjarpri, por shumë më e fuqishme. Ngre sytë dhe shoh një mjellmë të bardhë që ka drejtuar qafën, ka hapur sqepin e gjerë dhe më tregon radhët e dhëmbëve të vegjël e gjuhën e trashë rozë, duke klithur në mënyrë luftarake. Ta ketë nevrikosur ngërçi im, them? Se për të lëvizur, s’po lëvizja. Përpiqem të sjell nëpër mend ndonjë informacion mbi mjellmat, por s’di asgjë, përveçse që shumohen në verë. E çfarë, mos do të shumohet me mua? Jo, kjo s’mund të jetë. Ndoshta mjellma është e ndjeshme ndaj diçkaje, siç janë qentë ndaj adrenalinës. Të ketë kapur frikërat e pasiguritë e mia? Ta ketë nevrikosur pavendosmëria apo egoizmi im? Apo hallakatja e kotë? Apo është ndoshta xheloze që po i gëzohem rrezes së diellit pa asnjë qëllim? Apo për qafën time? (në këtë pikë…) Ndërkohë që unë i bëj vetes pyetje egocentrike dhe, si at-least-bitask që jam, përpiqem të imagjinoj se si mund të zhvillohej një përleshje e mundshme me mjellmën, diçka e leshtë më prek këmbën. Ul kokën e shoh që një qenush i vogël e i bardhë ka nxjerrë turirin që poshtë stolit, dhe në fakt sqepi i mjellmës drejtohet pikërisht nga ai. Dëgjoj një zë nga mbrapa që flet me tonin e dikujt që po i flet një qeni: “Hajde këtej, se janë të rrezikshme mjellmat!” Pastaj me tonin e dikujt që i drejtohet një femre: “ S’i duan fare qentë, këto të uruara.” Si e çliruar, kthej kokën dhe i buzëqesh. Qeni shkon te i zoti. Mjellma mbyll sqepin dhe ikën më tutje. Kurse unë vazhdoj të lexoj rrezet e diellit mbi faqet e librit.

Written by ak'll

Gusht 13, 2007 at 7:49 pm

Postuar te Dhe, Eter, Ujë

Flash

with 31 comments

Ajri i nxehtë mbështjell trupin e mpirë nga kondicioneri i avionit.

Mola bren drurin e shtëpisë së re të tim eti,

Osteoporoza, eshtrat e vjetra të sime mëje.

Uji mbi asfaltin e nxehtë më ngjitet pas trupit.

Dielli grindet me mendimet e trishta,

Fitimtar më ulet këmbëkryq në majë të kokës.

Këngë gjelash, gjinkallash e guguçesh,

Miksuar me gulçima pompash e gjeneratorësh elektrikë.

Erë e njomë e Boboçes së vogël,

Përzier me smogun e Dajtit të madh.

Ankesa tezesh e pyetje xhaxhallarësh.

Presidentë të pazgjedhur,

Lajme, lajme, lajme,

Asgjë e re.

Rrëfime miqsh rreth avujsh alkooli e kafeje,

Mes tingujsh shurdhues e turmash gëluese,

Nari pi kafe te tavolina përballë,

Shpirti binjak ndoshta pi birrë një hap më tutje.

Grimca betoni patinojnë përjetësisht poret e mia më të imta.

Gërmadha pa histori,

Histori pa gërmadha.

Rolling Stones një mal kaptuar,

Aida, te lagjja tjetër.

Mbeturina kuq e blu mbi piramidën e bardhë,

Mumia e zezë kërcen deri në mëngjes

Në tekno të modës së fundit.

Lidhe qënin, ti moj qëne,

Lidhe, për kokë të sat’ ëme.

Unë, im atë, ime më, Kadareja, Markezi dhe Vlora.

Gjethet e ullinjve ftojnë vezulluese

Drejt vijash dielli mbi det.

Paqe.

…………………………………

Vapë, shumë vapë.

Ajri i freskët i aeroportit mbështjell trupin e molitur nga 40° permanente.

Një ekspres më përcjell me duar të dridhura.

S’dua të iki.

E pur si move.


Written by ak'll

Korrik 30, 2007 at 12:00 pm

Postuar te Eter, Ujë, Zjarr

Spam

with 16 comments

Përditë marr nga një qerre me spam. Mesazhe kuturu, në shqip. Ta kapë kush ta kapë. Në mos njëri, tjetri moj, bejkën moj, do ma marrë. Win 1 million dollars! Get a bigger penis! Get bigger breasts! Loose 5 kg in 3 weeks! Find your soul mate! Get lower mortgage for your house! Cheaper insurance for your car! Pra gjithë çfarë duhet për të qenë i lumtur. Me 1 milion dollarë dhe organe gjenitale më bujare, sikur të funksionojë dhe humbja e kileve, soul mate-n e ke në xhep. Pastaj sigurisht do të të duhet një shtëpi dhe një makinë, pse ti bësh paratë rrush e kumbulla, tek e fundit 1 milion dollarë s’janë të pafund…

S’i hap asnjëherë spam-et, direkt në kosh. Po dhe indiferente s’më lënë; më kujtojnë mbretin e spami-t, alias Sh.Sh. Spam i personalizuar, në gjuhën time. Titulli: “Gjej parajsën e humbur”. Përmbajtja ndryshon herë pas here; mesazhet e para janë “ je shumë e bukur”, nëse s’reagoj, vjen tjetri me fjalët “ je shumë inteligjente”, nëse prapë s’reagoj, “ je njeri shumë i veçantë”, nëse prapë s’klikoj te linku “as vetë s’e di se çfarë dua prej teje, po hajde njëherë, pastaj shohim”, mesazhi pasardhës është “ vetëm ti më kupton në këtë botë”. Shpesh ndjej tendenca psikanalize; bie brenda. Mesazhet e tjera janë të gjata, s’kanë linqe ku të klikosh, vetëm fjali të gjata rrëfyese e pyetje retorike. E unë kërkoj si e marrë një link ku të jetë shkruar qoftë dhe “Akull, kliko se do bëjmë dy pare muhabet për qejfin tënd”. Jo, asgjë e tillë. Maksimumi një link qorr që të kthen prapë te mesazhi ku flitet për përsihatjet e Sh.Sh. në këtë botë idiote, të pashpirt, të pafat, ku s’di si t’ia bëjë me të shoqen, që ta lërë s’e lë dot, po dhe të rrijë me të si rrihet, dhe që me mua do kish qenë shumë i lumtur, dhe që do donte të martohej me mua. Pas kësaj s’ka kutiza për te klikuar Po ose Jo, thjesht vazhdon me fjali tip “po s’e lë dot, e dua si njeri të familjes, ka bërë shumë për mua”… Unë, e pasionuar pas çdo lloj prurjeje monotone, që më lejon të bredh nëpër vende imagjinare, nuk reagoj. Herë pas here reply “ e ke gabim që do të ndahesh, ajo është klas grua.” ose “unë dhe ti dy ditë bashkë s’do i bënim dot” ose nganjëherë jap dhe këshilla tip “po sikur ta diskutosh me gruan?” dhe kur qëlloj ne ditën time të kurajës, “ po pse s’bëni një kalama?”. Si duket këtu është pika e dobët, se spami rifillon. Brenda ka linkun “bëhu shoqja ime” që unë e përkthej “më analizo falas”. E klikoj nganjëherë dhe dal prapë te top of dhe page. Dhe një herë nga fillimi… E di, mund të kisha djegur spamin e parë dhe tani do s’do isha duke u marrë me kësi marrish, po do shkruaja mbi klimën çuditërisht tropikale të qytetit shkëmboro-asfaltor ku jetoj. Ai që s’ka hapur kurrë spam, të më hedhë gurin e parë! Ah, se desh harrova, kam mësuar kohët e fundit të përdor “block sender”. E di, vonë, po më mirë vonë se shumë vonë…

Written by ak'll

Qershor 23, 2007 at 1:25 pm

Postuar te Ujë

Monologotash

with 37 comments

Sonte, i dashur, mos më fto në Grand Véfour ! Mos më pyet çdo dy minuta a më pëlqen dekori! Mos më pyet çdo dy të tjera a më pëlqejnë Escargots à la Bourgignonne apo Coquilles Saint Jacques à la Bretonne! Mos më pyet a po më shijon ajo Bordeaux Domaine du Chevalier Blanc! Chevalier Blanc…ti ke diçka prej kalorësi vërtet; ndoshta ngaqë vjen më merr në stacion me 400 kuajt e tu marramendës, ndoshta nga hunda jote pak me kurrizmë kujton Lekën e Madh, apo ndoshta nga e ecura me hov, sikur ke shkuar tërë jetën mbi kalë…

Kështu pra, po të thosha, mos më pyet a më pëlqen vera, se do më kujtohen ato dy gota vere të shkreta ndanë shishes së zbrazur mbi tavolinën tënde, që çdo javë ftohjeje përsëriten; i kuqi është i njejti, veç etiketat ndryshojnë. Në majë të gjuhës e kam të të pyes kush ka qenë për darkë, e sa më shumë shkon, aq më fort i druhem përgjigjes. Mos më pyet a po më pëlqen ajo Mousse au Chocolat, se do marr dhe një tjetër nga trishtimi! Mos më thuaj që po pi shumë; lemë ta mbaroj atë grappa të fisme, që më çon në vende ku s’kam dëshirë të zihem me ty! E kur të kthehemi në shtëpi, mos u ekzalto para bardhësisë sime si para Black Jack-ut që po fiton! Mos më pyet a dua të bëjmë akoma dashuri!

Mos u mjaltos pra kaq shumë sonte! Sillu si zakonisht; gjysëm i egër, me pak mospërfillje, më guxhulit si kalama herë pas here, më hidh atë vështrimin blu indiferent, më bëj sallatën e preferuar të Ishes tënde! Të pimë dhe një birrë të ftohtë; shenjë miqësie! Bëj sikur kam qenë aty gjithmonë! Fshiji gjurmët e mungesës sime! Zhduki pra, ato dy gota vere! Bëhu pra, kavalier!

Written by ak'll

Qershor 9, 2007 at 7:45 pm

Postuar te Ujë

E mërkurë

with 66 comments

« Do vij të mërkurën, shpirt.», më thotë me gjysmë zëri pas puthjes së fundit. “Mirë, zemër.”, ia kthej unë në të njëjtën oktavë, ndërkohë përpiqem të numëroj ditët deri të mërkurën; vetëm 4 ditë, mendoj, s’janë dhe aq shumë.

Jashtë çdo gjë është e bardhë, vezulluese, e ftohtë. Shtëpia është bosh, të tërë janë me pushime. Për herë të parë ndeshem me kohën e gjatë, me hapësirën e ngushtë e televizorin e vjetër. Askush s’më kish folur më parë për këtë vend, apo ndoshta dhe po e s’ia kisha vënë veshin…

Ka veç pak kohë që jam këtu, pa pika të tjera orientimi veç atyre të natyrës. Gjithçka sillet me shpejtësi marramendëse rreth meje, për të ardhur të nesërmen në të njëjtën pikë. Asnjë ndryshim. Asnjë rrudhë. Asnjë plasaritje. Ajnshtajni që në të ritë kish banuar këtu, thosh që këtu do vinte të vdiste, se gjërat ndodhnin 20 vjet më vonë se kudo tjetër. Zvicra pra, langsam, aber sicher, ishte e qënë. Shpresoj diku thellë që e mërkura s’do ti bindet thënies se gjeniut të relativitetit. E mërkura është e shënuar në kalendar, e zezë mbi të bardhë, rrethuar me të kuqe. E mërkura s’ka si të mos vijë pas të martës, e enjtja s’ka si të vijë para të mërkurës. Bankat, dyqanet, sigurimet punojnë të mërkurën. S’ka bug që e zhduk të mërkurën nga 3 milionë Outlook-ët që ka vendi…

Vras ca neurone me nikotinë, përpiqem të zgjoj ca të tjera me shah, përfundoj në tavëll, më e thjeshtë kjo, dhe më e përshtatshme për gjendjen. Më do, fitoj, s’më do, humbas. Pastaj e kthej: më do, humbas, s’më do, fitoj. Është shumë herët për lule dele. Dal nga muret e mia drejt mureve të huaja, rrëshqas mes tyre, mes njerëzish, mes gjërash. Vështrimet, fjalët, gjestet, rrëshqasin rreth meje. Sistemet tona s’puqen këto ditë.

E shtunë e trazuar, e diel mortore, e hënë e përgjumur, e martë. E mërkura s’është veç ca orë larg. Nëse Ai vjen në mëngjes, s’është veç 24 orë larg, nëse jo, prapë çështje orësh ngelet. Duro zemër, të durojmë, si duron mali dëborën…Filloj ritualin: floktore, ëmbëltore, verë, qirinj, esteticien, hamam, maskë, manikyr, pedikyr, gjumë i shqetësuar…

E mërkura ka ardhur më në fund. Bora është më e bardhë se dje, dielli më vezullues. Rri në shtrat me shpresën të ngrihem si rastësisht nga një zile a trokitje në derë. Vështroj tavanin, vrimat janë shumë të imta, të plasura s’ka. Asgjë për të deklaruar, tavani. Kthehem nga muri, plot shenja suvaje të ashpër; përpiqem të lexoj si në filxhanin e kafesë turke, kërkoj një A si Ai, një M si e mërkurë, një 6 pranë A-se si rrugë e gëzuar, një 9 si gosti, një formë njeriu që zbarkon me trëndafila në duar, dhe pse s’më pëlqejnë kush e di sa ato lloj lulesh që veniten për dy ditë… As muri, asgjë për të deklaruar. E kush tha që lexohet muri? Të ishte ashtu, do i lexonte dajesha muret e saj, siç lexon tre herë në ditë filxhanin, s’do i mbulonte me pamje nordike, me rosa e me pata të konfeksionuara me pupla të vërteta pulash. Apo prandaj i mbulonte? Që të mos ia lexonte njeri…Hmmm…Çohu, i them vetes, boll u more me budallallëqe, ngrihu tani, koha për lëvizje! I bindem vetes me kurrizin e ngërthyer nga pritja. Në intervalet mes dy vrojtimesh të orës, përpiqem të vishem, marr tramin, përzihem me kolegë e miq, gëlltis pa vetëdije hajet e lodhura të mencës, marr tramin sërish e kthehem në shtëpi.

Mbrëmjet vijnë më shpejt këtu se te ne. Heq lodhjen e ditës, ndez një qiri me aromë portokalli, vesh fustanin e kuq, një nga ata që s’janë bërë për raste të veçanta e nuk stonojnë me shtëpizën, tualetosem lehtë, gati padukshëm, s’dua që pritja të shihet. Ulem para televizorit shumëvjeçar bardh e zi, relike e ditëve të lumtura të shtëpizës së drunjtë, shoh një episod serie të stërparë, dhe një të dytë, dhe një të tretë, një film të gjate… Asnjë zile, asnjë trokitje…

Jashtë dëgjohen kërkëllimat e rrotave të një valixheje në kalldrëmin e vjetër. Shoh prapë orën. Treni i fundit nga B sapo duhet të ketë arritur. Ai merr shpesh trenin e fundit. Ngrihem, rregulloj flokët, shkund zhubrat e fustanit qe kam bërë shuk duke u mbledhur nga të ftohtët, ndërroj një pas një kanalet me butonin që më heq mallin e fëmijërisë; emisione franceze me të ftuar të famshëm rrëzëllimës, filma policorë të viteve ’80, emision mbi kafshët e s’di cilit det, seri rozë…kthehem mbrapsht te kafshët e detit. Peshkaqenë e delfinë që ndajnë të njëjtin gjah, oktapodë, peshq papagallë, korale…Ora po shkon 12. Të mërkurës po i vjen fundi… Peshkaqeni balenë përparon madhërishëm në kërkim të algave e planktoneve, qënka vegjetarian, them me vete, jo si Ai… Me masën e vet të ngathët lëviz pa pushim, dëgjoj, po pushoi, vdes. Oksigjeni s’i shkon më në mushkëri. Gjithmonë në lëvizje, pa rëndësi drejtimi, ndryshe mbaroi…

Fik kutinë bardh e zi, heq gjithë artificat gërvishtëse e shtrihem në shtratin çuditërisht të vogël. Unë, mund të pushoj. Dhe nesër s’është më e mërkurë. Ndoshta gjeniu kishte pasur të drejtë…


Written by ak'll

Maj 26, 2007 at 10:11 pm

Postuar te Ujë