akull-naja

Archive for the ‘Eter’ Category

Mjellma, qeni dhe pasiguria ime një pasdite vere

with 33 comments

Swan Attacked by a Dog


Jam ulur buzë diellit që ngjyhet në liqen. Duhet të isha larg prej aty, por diçka më mban në stolin pa shpinore. Tek e fundit, është e diel, arsye e mjaftueshme për të mos respektuar orarin. Filloj të rilexoj librin që kam marrë me vete për të mbytur çdo lloj vrarjeje ndërgjegje për kohën që ikën kot. Has në një fjalë që s’e di. S’kam fjalor me vete. Vazhdoj të lexoj, por mendja më rri te fjala e panjohur. Hedh sytë përqark, por s’shoh askënd që do mund të më ndihmonte. Vazhdoj sërish, por çdo gjë është automatike. Duket sikur fjala e panjohur bart sekretin e gjithë shkrimit. Mundohem të kap fjalën me hamendje. E zëvendësoj me të tjera, prapë s’e shoh lidhjen me të tërën. Ndoshta ajo fjalë është krejt e parëndësishme për shkrimin, por ndoshta është dhe simboli i heshtur i gjithë pjesës në vazhdim. S’kam nga ta di. Kuriozitetin ma tremb një këlthitje e thatë si prej gjarpri, por shumë më e fuqishme. Ngre sytë dhe shoh një mjellmë të bardhë që ka drejtuar qafën, ka hapur sqepin e gjerë dhe më tregon radhët e dhëmbëve të vegjël e gjuhën e trashë rozë, duke klithur në mënyrë luftarake. Ta ketë nevrikosur ngërçi im, them? Se për të lëvizur, s’po lëvizja. Përpiqem të sjell nëpër mend ndonjë informacion mbi mjellmat, por s’di asgjë, përveçse që shumohen në verë. E çfarë, mos do të shumohet me mua? Jo, kjo s’mund të jetë. Ndoshta mjellma është e ndjeshme ndaj diçkaje, siç janë qentë ndaj adrenalinës. Të ketë kapur frikërat e pasiguritë e mia? Ta ketë nevrikosur pavendosmëria apo egoizmi im? Apo hallakatja e kotë? Apo është ndoshta xheloze që po i gëzohem rrezes së diellit pa asnjë qëllim? Apo për qafën time? (në këtë pikë…) Ndërkohë që unë i bëj vetes pyetje egocentrike dhe, si at-least-bitask që jam, përpiqem të imagjinoj se si mund të zhvillohej një përleshje e mundshme me mjellmën, diçka e leshtë më prek këmbën. Ul kokën e shoh që një qenush i vogël e i bardhë ka nxjerrë turirin që poshtë stolit, dhe në fakt sqepi i mjellmës drejtohet pikërisht nga ai. Dëgjoj një zë nga mbrapa që flet me tonin e dikujt që po i flet një qeni: “Hajde këtej, se janë të rrezikshme mjellmat!” Pastaj me tonin e dikujt që i drejtohet një femre: “ S’i duan fare qentë, këto të uruara.” Si e çliruar, kthej kokën dhe i buzëqesh. Qeni shkon te i zoti. Mjellma mbyll sqepin dhe ikën më tutje. Kurse unë vazhdoj të lexoj rrezet e diellit mbi faqet e librit.

Advertisements

Written by ak'll

Gusht 13, 2007 at 7:49 pm

Postuar te Dhe, Eter, Ujë

Karkalec

with 65 comments

Sauterelle mécanique

Një karkalec ka qëndruar mbi pllakën ngjitur me këmbën e krevatit. Pasi kam vrarë ca nga të ngjashmit e vet që morën guximin të më ngjiten nëpër flokë apo mbi lëkurë, çdo tendencë ensifericide duket të më ketë vdekur. Dielli përvëlues duhet të ketë bërë të veten. Dhe karkaleci s’po më shqetëson. Rri një pllakë larg këmbës së krevatit, aty ku unë nuk jam e detyruar të shkel. Dal. Kthehem. E gjej mbi fustanin e preferuar që kam lënë mbi krevat. I pëlqyeka dhe karkalecit, them me vete. Nuk më shkon nëpër mend që karkaleci mund të jetë daltonik. Fle. Zgjohem. Karkaleci është kthyer te pllaka e vet. Bëhem gati t’i them mirëmëngjes, po më duket vetja idiote që përpiqem të flas me një qenie si karkaleci që, sigurisht, nuk e njeh gjuhën time. Dal. Kthehem. Karkaleci qëndron mbi derën e dollapit. Një ndjesi e acarimi ma çon dorën drejt shapkës. Bie telefoni. Bëj dush. Kthehem në dhomë. Karkaleci, përballë meje. Instinktivisht, vë peshqirin përpara. Fle. Zgjohem. Karkaleci qëndron te pllaka e vet. Pa u menduar, i them mirëmëngjes me ton familjar. Hap derën e ballkonit. Dal. Kthehem. Karkaleci s’është më aty. Bëj valixhet gati. Mbyll dyer e dritare. Dal.

Written by ak'll

Gusht 6, 2007 at 12:10 pm

Postuar te Dhe, Eter

Flash

with 31 comments

Ajri i nxehtë mbështjell trupin e mpirë nga kondicioneri i avionit.

Mola bren drurin e shtëpisë së re të tim eti,

Osteoporoza, eshtrat e vjetra të sime mëje.

Uji mbi asfaltin e nxehtë më ngjitet pas trupit.

Dielli grindet me mendimet e trishta,

Fitimtar më ulet këmbëkryq në majë të kokës.

Këngë gjelash, gjinkallash e guguçesh,

Miksuar me gulçima pompash e gjeneratorësh elektrikë.

Erë e njomë e Boboçes së vogël,

Përzier me smogun e Dajtit të madh.

Ankesa tezesh e pyetje xhaxhallarësh.

Presidentë të pazgjedhur,

Lajme, lajme, lajme,

Asgjë e re.

Rrëfime miqsh rreth avujsh alkooli e kafeje,

Mes tingujsh shurdhues e turmash gëluese,

Nari pi kafe te tavolina përballë,

Shpirti binjak ndoshta pi birrë një hap më tutje.

Grimca betoni patinojnë përjetësisht poret e mia më të imta.

Gërmadha pa histori,

Histori pa gërmadha.

Rolling Stones një mal kaptuar,

Aida, te lagjja tjetër.

Mbeturina kuq e blu mbi piramidën e bardhë,

Mumia e zezë kërcen deri në mëngjes

Në tekno të modës së fundit.

Lidhe qënin, ti moj qëne,

Lidhe, për kokë të sat’ ëme.

Unë, im atë, ime më, Kadareja, Markezi dhe Vlora.

Gjethet e ullinjve ftojnë vezulluese

Drejt vijash dielli mbi det.

Paqe.

…………………………………

Vapë, shumë vapë.

Ajri i freskët i aeroportit mbështjell trupin e molitur nga 40° permanente.

Një ekspres më përcjell me duar të dridhura.

S’dua të iki.

E pur si move.


Written by ak'll

Korrik 30, 2007 at 12:00 pm

Postuar te Eter, Ujë, Zjarr

Një cc dashuri por favor

with 23 comments

Një cc dashuri por favor

nga ajo e pastra

pa plumb

se po me prishet motorri i shpirtit

me lëndë djegëse artificiale

pistonat po shformohen

cilindrat po gërryhen

zgjyra po i ha.

Një cc dashuri por favor

s’do me mjaftojë

por sa për sot

t’u kujtojë cilindrave rrëshqitjen

pistonave shtrëngimin

valvulave dihatjen.

Një cc dashuri por favor


Written by ak'll

Korrik 4, 2007 at 3:28 pm

Postuar te Eter

Flamengo solo

with 14 comments

Aromë druri
korda zjarri.
Rrugë pa kthim
drejt flamengos solo
kërcyer qindra herë
nën tingujsh kitarash imagjinare
përballë pasqyrash perfekte.
Çdo lëvizje shqyrtova
me syrin e të zotit
ritmin e lëmova
ditë të tëra
deri në mërzi.
Për shfaqjen e madhe
në kohë qeshë
çdo pejzë muskuli tendosur
nën ritmin e kuq të gjakut
muzikës së panjohur iu binda
mbulova gabimet e padijes
me sigurinë e përsëritjes
në gjysëmterrin e skenës
duartrokitjet e kitaristit mblodha
turmën falenderova
u tërhoqa në dhomëzën time
llambat i fika
rigjeta gjumin.

Written by ak'll

Qershor 26, 2007 at 11:21 pm

Postuar te Eter

Lëvozhgat e thata të ndajfoljeve të kohës

with 27 comments

Çelën në mars sytha të njoma kohe
mbi shkurre dikur-esh
mbi myshqe herët-esh
baobabë vonë-sh
mbi liane atëherë-sh
mbi kaktuse kurrë-sh.
Iu dhanë diejve kalimtarë
der në pikë e fundit të lëngut magjik që me kohën i lidhte.
Të thata ranë në kopshtin e bardhë.
I mblodha të tëra, një nga një
u shkunda pluhurin e yjeve të rënë
me ujë të Kroit të Bardhë i zjeva
me mjaltë Zogajsh ua mbyta idhtimin
prej kupe kristali e ktheva me fund
e guxova më në fund të pyesja “KUR?”.

Detyrë shtëpie

Written by ak'll

Qershor 13, 2007 at 3:08 pm

Postuar te Eter

Mall

with 78 comments

Miliona thërrmija shpirti

arratisen prej meje

u qepen pejzave të dritës

drejt vendesh me diell.

Kërkojnë përmallshëm

grimca aromash të pandiera

tinguj këngësh të pakënduara

dridhma përkëdheljesh të padhëna.

Rreth kafesh te papira

u rrëfejnë

ditët e mia

netët pa to

sekrete të ëmbla

të vërteta të hidhura.

Kapërthehen mandej me to

në miliona mikrotango marramendëse

në miliona mikroekstaza dallëdisëse

digjen.

Hi i bardhë kthehen mbi flokët e mi.

Written by ak'll

Qershor 2, 2007 at 4:53 pm

Postuar te Eter