akull-naja

Gjyshi

with 24 comments

Kthehem nga shkolla. Këmbët i kam qull. Jashtë bie borë e madhe. Sillem përqark. Sot s’vajta te gjyshi. Shumë larg. Shumë ftohtë. Gjyshi është sëmurë. Gjyshi është i vogël. Gjyshi më tregon përralla duke pjekur gështenja. E ka kapur ai bronkiti i poshtër. Ai që e kap gjithmonë në dimër. Po e marr në telefon. Më përgjigjet Sibija. Sibija është komshija që banon sipër gjyshit. Sibija është e madhe. Me flokë të verdha si fshesë dhe me sytë bojëqielli të hapur. Sibijen e kam shumë frikë. Sibija bën gjilpëra. Më pyet me zë të vrazhdë kush jam dhe më kalon tim atë. S’kuptoj më asgjë. Ç’do im atë në orar pune te gjyshi? Dhe ky më pyet me zë të vrazhdë se çfarë dua. S’di çfarë i përgjigjem. Më thotë ta lë rehat se ashtu kanë një problem. Ulem afër komodinës. Nxjerr kutinë me llokume jeshile. Llokumet më ngjiten nëpër dhëmbë. Qaj. I fshij lotët me mëngë. Qaj. Fshij hundët me mëngë. Qaj. Troket dera tre herë. Është mami, ajo i bie tre herë. I hap derën. Ç’ke moj nënë, më thotë, ç’të ka gjetur? Gjyshi, i them. Ç’ka gjyshi, më thotë. I tregoj për Sibijen dhe babin, që mu përgjigjën në telefon te gjyshi. Po jo moj nënë, më thotë, gjyshi është mirë. Sibija ka ardhur për dajë Selimin. Kishte vajtur për vizitë. Pati një krizë zemre. Vdiq. Tërheq hundët fort. Laj sytë me ujë të ftohtë. Gjyshi është gjallë.

Written by ak'll

Gusht 17, 2007 at 11:38 pm

Postuar te Ujë

Mjellma, qeni dhe pasiguria ime një pasdite vere

with 33 comments

Swan Attacked by a Dog


Jam ulur buzë diellit që ngjyhet në liqen. Duhet të isha larg prej aty, por diçka më mban në stolin pa shpinore. Tek e fundit, është e diel, arsye e mjaftueshme për të mos respektuar orarin. Filloj të rilexoj librin që kam marrë me vete për të mbytur çdo lloj vrarjeje ndërgjegje për kohën që ikën kot. Has në një fjalë që s’e di. S’kam fjalor me vete. Vazhdoj të lexoj, por mendja më rri te fjala e panjohur. Hedh sytë përqark, por s’shoh askënd që do mund të më ndihmonte. Vazhdoj sërish, por çdo gjë është automatike. Duket sikur fjala e panjohur bart sekretin e gjithë shkrimit. Mundohem të kap fjalën me hamendje. E zëvendësoj me të tjera, prapë s’e shoh lidhjen me të tërën. Ndoshta ajo fjalë është krejt e parëndësishme për shkrimin, por ndoshta është dhe simboli i heshtur i gjithë pjesës në vazhdim. S’kam nga ta di. Kuriozitetin ma tremb një këlthitje e thatë si prej gjarpri, por shumë më e fuqishme. Ngre sytë dhe shoh një mjellmë të bardhë që ka drejtuar qafën, ka hapur sqepin e gjerë dhe më tregon radhët e dhëmbëve të vegjël e gjuhën e trashë rozë, duke klithur në mënyrë luftarake. Ta ketë nevrikosur ngërçi im, them? Se për të lëvizur, s’po lëvizja. Përpiqem të sjell nëpër mend ndonjë informacion mbi mjellmat, por s’di asgjë, përveçse që shumohen në verë. E çfarë, mos do të shumohet me mua? Jo, kjo s’mund të jetë. Ndoshta mjellma është e ndjeshme ndaj diçkaje, siç janë qentë ndaj adrenalinës. Të ketë kapur frikërat e pasiguritë e mia? Ta ketë nevrikosur pavendosmëria apo egoizmi im? Apo hallakatja e kotë? Apo është ndoshta xheloze që po i gëzohem rrezes së diellit pa asnjë qëllim? Apo për qafën time? (në këtë pikë…) Ndërkohë që unë i bëj vetes pyetje egocentrike dhe, si at-least-bitask që jam, përpiqem të imagjinoj se si mund të zhvillohej një përleshje e mundshme me mjellmën, diçka e leshtë më prek këmbën. Ul kokën e shoh që një qenush i vogël e i bardhë ka nxjerrë turirin që poshtë stolit, dhe në fakt sqepi i mjellmës drejtohet pikërisht nga ai. Dëgjoj një zë nga mbrapa që flet me tonin e dikujt që po i flet një qeni: “Hajde këtej, se janë të rrezikshme mjellmat!” Pastaj me tonin e dikujt që i drejtohet një femre: “ S’i duan fare qentë, këto të uruara.” Si e çliruar, kthej kokën dhe i buzëqesh. Qeni shkon te i zoti. Mjellma mbyll sqepin dhe ikën më tutje. Kurse unë vazhdoj të lexoj rrezet e diellit mbi faqet e librit.

Written by ak'll

Gusht 13, 2007 at 7:49 pm

Postuar te Dhe, Eter, Ujë

Karkalec

with 65 comments

Sauterelle mécanique

Një karkalec ka qëndruar mbi pllakën ngjitur me këmbën e krevatit. Pasi kam vrarë ca nga të ngjashmit e vet që morën guximin të më ngjiten nëpër flokë apo mbi lëkurë, çdo tendencë ensifericide duket të më ketë vdekur. Dielli përvëlues duhet të ketë bërë të veten. Dhe karkaleci s’po më shqetëson. Rri një pllakë larg këmbës së krevatit, aty ku unë nuk jam e detyruar të shkel. Dal. Kthehem. E gjej mbi fustanin e preferuar që kam lënë mbi krevat. I pëlqyeka dhe karkalecit, them me vete. Nuk më shkon nëpër mend që karkaleci mund të jetë daltonik. Fle. Zgjohem. Karkaleci është kthyer te pllaka e vet. Bëhem gati t’i them mirëmëngjes, po më duket vetja idiote që përpiqem të flas me një qenie si karkaleci që, sigurisht, nuk e njeh gjuhën time. Dal. Kthehem. Karkaleci qëndron mbi derën e dollapit. Një ndjesi e acarimi ma çon dorën drejt shapkës. Bie telefoni. Bëj dush. Kthehem në dhomë. Karkaleci, përballë meje. Instinktivisht, vë peshqirin përpara. Fle. Zgjohem. Karkaleci qëndron te pllaka e vet. Pa u menduar, i them mirëmëngjes me ton familjar. Hap derën e ballkonit. Dal. Kthehem. Karkaleci s’është më aty. Bëj valixhet gati. Mbyll dyer e dritare. Dal.

Written by ak'll

Gusht 6, 2007 at 12:10 pm

Postuar te Dhe, Eter

Dy fjalë për Zvicërlandin në 1 Gusht

with 72 comments

1 Gushti është festa kombëtare e Zvicrës. Para 716 vjetësh, përfaqësuesit e mençur të tre kantoneve, Shvic, Uri dhe Untervald, nënshkruan një pakt, i quajtur Pakti Federal, ku angazhohen t’i ofrojnë njëri-tjetrit çdo lloj ndihme e mbështetje, me të gjitha forcat, pa kursyer as jetën, as mallin, në luginat e tyre dhe jashtë, kundër kujtdo, i cili, me çdo lloj veprimi armiqësor, do cënojë personat apo mallin e tyre… Në atë kohë, bëjnë pjesë në Perandorinë e Shenjtë Romano-Gjermanike, dhe përpiqen të sigurojnë pavarësinë nga Habsburgët. Shumë ujë ka rrjedhur që atëhere. Zvicra është sot një Konfederatë me 26 kantone, me 4 gjuhë zyrtare: gjermanisht, frengjisht, italisht dhe retoromane (shqipja flitet me shumë se e katërta :)) dhe me demokraci direkte si sistem politik.

Zvicra e ka marrë emrin pikërisht prej njërit prej kantoneve te quajtura “primitive”, Shvicit (Schwytz).

1 Gushti festohet me zjarre e me fishekzjarre, me birrë e me salsiçe, dhe me muzikën “tradicionale” zvicerane, salcën. :)

Ja dhe ca foto nga Zvicërlandi im i dashur :

Zvicërland

Written by ak'll

Gusht 1, 2007 at 1:12 pm

Postuar te Uncategorized

Flash

with 31 comments

Ajri i nxehtë mbështjell trupin e mpirë nga kondicioneri i avionit.

Mola bren drurin e shtëpisë së re të tim eti,

Osteoporoza, eshtrat e vjetra të sime mëje.

Uji mbi asfaltin e nxehtë më ngjitet pas trupit.

Dielli grindet me mendimet e trishta,

Fitimtar më ulet këmbëkryq në majë të kokës.

Këngë gjelash, gjinkallash e guguçesh,

Miksuar me gulçima pompash e gjeneratorësh elektrikë.

Erë e njomë e Boboçes së vogël,

Përzier me smogun e Dajtit të madh.

Ankesa tezesh e pyetje xhaxhallarësh.

Presidentë të pazgjedhur,

Lajme, lajme, lajme,

Asgjë e re.

Rrëfime miqsh rreth avujsh alkooli e kafeje,

Mes tingujsh shurdhues e turmash gëluese,

Nari pi kafe te tavolina përballë,

Shpirti binjak ndoshta pi birrë një hap më tutje.

Grimca betoni patinojnë përjetësisht poret e mia më të imta.

Gërmadha pa histori,

Histori pa gërmadha.

Rolling Stones një mal kaptuar,

Aida, te lagjja tjetër.

Mbeturina kuq e blu mbi piramidën e bardhë,

Mumia e zezë kërcen deri në mëngjes

Në tekno të modës së fundit.

Lidhe qënin, ti moj qëne,

Lidhe, për kokë të sat’ ëme.

Unë, im atë, ime më, Kadareja, Markezi dhe Vlora.

Gjethet e ullinjve ftojnë vezulluese

Drejt vijash dielli mbi det.

Paqe.

…………………………………

Vapë, shumë vapë.

Ajri i freskët i aeroportit mbështjell trupin e molitur nga 40° permanente.

Një ekspres më përcjell me duar të dridhura.

S’dua të iki.

E pur si move.


Written by ak'll

Korrik 30, 2007 at 12:00 pm

Postuar te Eter, Ujë, Zjarr

Lërmë…

with 35 comments

Ja ku u riktheva sërish te ti, pas një fluturimi të shkurtër. Gjithmonë kthehem. Prej vitesh. U bë kohë që ndajmë ditët tona, por diç më pengon të të jepem e tëra. Po as ti s’më jepesh i tëri. As më kap, as më lëshon. Kohët e para me ty ishin tejet ngacmuese, dehesha me aromat e tua, format e tua, çdo gjë që zbuloja ishte ashtu si do e kisha dashur unë. Perfeksioni yt më habiste, dimensionet e tua te panumërta më merrnin frymën. Në sytë e tu isha e bukur ngaqë e pazakontë, e flisja gjuhen tënde e kjo të mrekullonte, tregoja gjëra që ti i kishe harruar prej kohësh e kjo të bënte të më dëshiroje pafundësisht. Me ty mësova të zbuloj botën që më rrethonte. Këndova muzikën tënde, lexova librat e tu, u dallëdisa me absintin tënd, mësova të dua dhe aromat e tua stallore. Në ujërat e tua notoj krejt e zhveshur. Me ajrin tënd thëthij grimca lirie. Mendja më çlirohet nga çdo mur i ngritur prej gjyshesh azgane. E ndjej se me ty mund te shkoj larg, shumë larg, të kaloj limitet e mija, të kaloj limitet e tua.

Ti je korrekt, tepër korrekt, që ditën e parë më the që s’je i disponueshëm. Diçka m’u gris përbrenda kur shkrova se s’do kërkoja asgjë prej teje. Tek e fundit, erdha pa ftuar, s’mund të prisja ta gjeja shtruar me servise argjendi e gota kristali. As i mendoja këto; veç kurioziteti më shtynte drejt teje. Po ti je i kujdesshëm, e njeh me siguri statisticieni probabilitetin e dëshirave të mia. E unë i respektoj shkencat pothuajse ekzakte, më shumë se ato ekzaktet, se kanë diçka njerëzore brenda, përsihatjet e brezave të tërë për të shpjeguar të pakuptueshmen e për të justifikuar gjestet instinktive. Për më tepër, ti më jep gjithë lirinë, pa asnjë angazhim. Ti më jep mundësinë të jetoj siç kam dashur gjithmonë: e pavarur. Unë të jap energjinë e rinisë time. S’më përzë asnjëherë, gjithmonë një fjalë të mirë, gjithmonë një qoshe për mua. Dhe për Krishtlindjet që kalon gjithmonë me të tutë, më bën gjithmonë një vendth, po unë largohem që më përpara, më trishton ideja që s’mund ta ndaj dot plotësisht me ty këtë festë që është më shume e jotja se imja. As unë s’të lë kurrë për kohë të gjatë. Herë pas here largohem, me trishtimin që rritet sa më shumë afron dita e nisjes. Shkoj larg prej teje, drejt tokash të vjetra a të panjohura. Ditët e para me mungon çdo grimcë e jotja, mundohem të të prek në çdo lloj mënyre. Mandej, pak nga pak, zbehesh. Me ty dhe hidhërimi im. Drita të reja më ngacmojnë, forma të reja. Ti ndoshta s’e vë re mungesën time, ndoshta bëhesh xheloz, por veten s’e jep. Të shoh nga larg e më dukesh më i bukur po dhe më i paarritshëm se kurrë, po kjo s’më vret, përkundrazi, të kuptoj më qartë. Ndjesi të reja më dehin, e lëshoj veten krejtësisht në rrjedha premtimesh që ti s’mi ke bërë kurrë. Dëshira për të të lënë përgjithnjë më gërryen, dua të rri mes atyre aromave eksituese që aq shumë më çojnë shpirtin peshë. Por prapë kthehem, me gjithë padëshirën për t’u bërë njësh me ty. Ditën e parë s’dua të të afrohem. Çdo gjë jotja më pështjellon stomakun. Kurse ti i gëzohesh lëkurës sime të lëmuar nga të tjera ujëra, rrëzëllimi i diejve të tjerë në sytë e mi të mahnit, të dukem më e dëshirueshme se kurrë. Pastaj, dalëngadalë, rizbuloj anët e tua diellore, lirinë që më jep pa më dhënë atë çka dëshiroj më së shumti. Më habit si të ishe risi, çdo qosh yti më ngazëllen, çdo ditë me ty e jetoj si të ishte e fundit. E kështu rifillojmë nga e para. E unë prapë s’arrij të jepem e tëra. E as ti s’më jepesh i tëri…

Written by ak'll

Korrik 29, 2007 at 12:21 am

Postuar te Dhe

Kohë pushimi

with 41 comments

Do jem në mëmëdhe për nja dy javë dhe me siguri pa shumë internet, pra mirëjugjetsha! :)

Written by ak'll

Korrik 5, 2007 at 7:49 pm

Postuar te Uncategorized

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.